Ramazani: Muaji i Kur'anit
Kjo është pjesa e dytë e shkrimit Një Ramazan me Agjërim, por pa Kur'an?.
Allahu na e tregon qartë se pse ky muaj është i veçantë:
"Muaji i Ramazanit, që në të filloi të shpallet Kur'ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra)." (Bekare, 2:185)
Pra, kemi tre cilësi të Kur'anit:
- udhërrëfyes për njerëzit
- sqarues i rrugës së drejtë
- dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra).
Nëse Ramazani është thjesht muaji i agjërimit, atëherë pse Allahu e përmend Kur'anin si arsye kryesore të këtij muaji? Pse Allahu i sqaron me detaje cilësitë e Kur'anit në të njëjtin varg ku shpjegon Ramazanin? A mund të ketë një Ramazan të plotë pa Kur'an? A nuk është kjo një thirrje për ta lexuar ftesën hyjnore?
Një Mesazh që Pret të Hapet
Është me të vërtetë interesante natyra njerëzore! Ne nxitojmë ta hapim çdo njoftim në telefon, çdo mesazh që na vjen. Jemi gjithmonë “online” dhe të hapur për biseda. Na shqetëson ideja se mund të humbasim një informacion të rëndësishëm.
Por, a e kemi menduar ndonjëherë se kemi një mesazh hyjnor që na pret? Një libër që flet me ne? Një fjalë që na shoqëron në çdo gjendje të jetës?
Allahu i Lartësuar thotë:
"A t’i trajtojmë njëlloj ata që besojnë e bëjnë vepra të mira me ata që bëjnë shkatërrime në tokë?! A t’i trajtojmë njëlloj njerëzit e devotshëm dhe njerëzit e mbrapshtë?! (Ky është një) Libër i begatshëm, Ne ta shpallëm ty këtë, që t'i studiojnë argumentet e tij dhe që të marrin mësim prej tij ata që kanë mend." (Sad, 38:28-29)
Pse ta lëmë të mbyllur këtë thesar? Pse të presim një ditë më të përshtatshme për ta hapur? Cili angazhim mund të jetë më i rëndësishëm se mesazhi i Zotit për ne?
A do ta linim pa lexuar një letër nga një personalitet i lartë, vetëm sepse nuk gjejmë kohë? A do ta neglizhonim një ftesë që mund të ndryshojë jetën tonë? Si mund t’i kushtojmë më shumë vëmendje punëve të përditshme dhe të ndiejmë përtaci për të hapur fjalën e Atij që na krijoi?
Allahu na e tërheq vëmendjen duke na thënë:
"Ju ka mashtruar lakmia për më tepër (pasuri, fëmijë, pozitë), derisa të shkoni te varret." (Tekathur, 1-2) … "Pastaj, atë ditë, patjetër do të pyeteni për begatitë (e kësaj bote)." (Tekathur, 8)
Si do të justifikohemi kur të pyetemi për mirësitë që na u dhanë? A do të themi "Nuk pata kohë", kur atë e kemi shpenzuar për gjëra kalimtare? Kur’ani na paralajmëron sa jemi në kohë dhe sa nuk është vonë.
Allahu thotë në Kur’an:
- E kur ndonjërit prej tyre i vjen vdekja, ai thotë: "O Zoti im, më kthe,
- që të bëj vepra të mira e ta kompensoj atë që lash pa bërë!" Kurrsesi, (kthim nuk ka) e kjo është vetëm fjalë që e thotë ai, e ata kanë para tyre një perde (distancë periodike) deri në ditën kur ringjallen.
- E kur i fryhet surit (herën e dytë), atëherë, në atë ditë nuk do të ketë lidhje familjare mes tyre e as që do të pyesë kush për njëri-tjetrin.
- E kujt i peshojnë më rëndë peshojat (veprat e mira), ata janë të shpëtuarit.
- Ndërsa, atyre që u peshojnë lehtë peshojat (veprat e mira), ata janë që humbën vetveten dhe janë në xhehennem përgjithmonë. (Muminun, 99-103)
A është Agjërimi i Plotë pa Kur'an?
Agjërimi është një adhurim që e pastron zemrën, por Kur'ani është ai që e mbush atë. Njëri e hap rrugën, tjetri e ndriçon. Një njeri që agjëron pa e përmbushur agjërimin e tij me Kur'an, ka bërë vetëm një pjesë të rrugës. Leximi i Librit Hyjnor është plotësimi i saj.
Kur'ani është mrekullia që s’ka fund, thesari që sa më shumë hapet, aq më shumë shkëlqen. Ama nëse nuk do të hapet kurrë, as dritën nuk do t’ia shohim kurrë.
"Thuaj: “Ai (Kur’ani) është udhërrëfyes dhe shërim për besimtarët”..." (Fusilet, 41:44)
Një Ramazan pa Kur'an është një lundrim pa busull, një udhëtim pa drejtim. Jo më kot, Allahu ia ka dhënë këto dy veçori muajit të Ramazanit. Agjërimi në fakt është përgatitja shpirtërore për t'u kthjelluar dhe për ta kuptuar më thellë fjalën e Allahut.
E gjithë përpjekja e besimtarit përmes agjërimit është të bëhet më i hapur dhe më i ndjeshëm ndaj mesazhit hyjnor. Dhe çuditërisht, shumë besimtarë shkojnë deri te lumi, e kthehen pa pirë ujë!
Ndërsa ne privohemi nga e ngrëna dhe e pira, le të mos e privojmë veten nga fjala e Allahut. Sepse kjo është kënaqësia e vërtetë e këtij muaji.
Allahu i Lartësuar thotë:
"Pa dyshim, ata që e lexojnë Librin e Allahut, e falin namazin dhe japin fshehtazi apo haptazi nga ajo që u kemi dhënë Ne, mund të shpresojnë në një fitim që nuk do të humbasë. Allahu do t’ua plotësojë atyre shpërblimin dhe do tu shtojë nga dhuntitë e Tij. Me të vërtetë, Ai është Falës dhe Falënderues." (Fatir, 35:29-30)
Çfarë tregtie mund të jetë më e dobishme sesa ajo me Allahun? Një lexim, një faqe, një ajet... dhe shpërblimi nuk ka fund.
Allahu nëpërmjet Kur’anit të drejtohet ty!
Kur fillon ta lexosh Kur'anin, ndjen se nuk po lexon një libër, por po hyn në një bashkëbisedim të vazhdueshëm me Atë që të ka krijuar. Ai po të drejton, po të orienton përmes ngjarjeve dhe fjalëve të Tij. Dhe ky stil të jep ndjesinë se personazhi kryesor aty, je ti. Ngjarjet që tregohen në Kur'an, nuk janë thjesht histori. Ato ngjarje janë universale, ndodhin cdo ditë. Dhe ndërsa po lexon, shpesh mund ta gjesh veten në situata të ngjashme, mund të kthjellohesh për gjëra që të kanë ndodhur dhe nuk dije si t’i shpjegoje.
Kur'ani nuk është thjesht një libër që i zbriti Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi Të) dhe ngeli me aq. Ai është një libër që ka zbritur për të gjithë ne. Një libër që është në pritje të hapet, deri në momentin tonë të fundit në këtë botë.
Sa më shumë lundron në këtë libër, aq më shumë ndihesh sikur po bëhesh pjesë e një aventure. Një udhëtim që të ndryshon, të frymëzon, të transformon dhe të bën të reflektosh mbi çdo gjë në jetën tënde.
Dhe kur e përfundon, mendon me vete: "Çfarë udhëtimi!" E ndjen atë lehtësim dhe kënaqësi të papërshkrueshme që vetëm një përvojë e tillë mund të ta dhurojë.
Por prapëseprapë, t’i flasësh dikujt që nuk e ka lexuar Kur'anin për ndjesinë e leximit të tij, është si të përpiqesh t’i shpjegosh shijen e një fruti që nuk e ka provuar kurrë. Fjalët janë të pamjaftueshme. Asnjë përshkrim nuk mund ta zëvendësojë përvojën e vërtetë.
Prandaj, mos e shtyj më. Mos prit një moment perfekt për të filluar. Ky moment është tani. Hape këtë libër. Lexoje ngadalë dhe medito. Filloje me ajetet e para që kanë zbritur: Dhe shijoje këtë udhëtim!
- Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (gjithçka),
- e krijoi njeriun nga një droçkë gjaku!
- Lexo! Zoti yt është Bujari më i madh,
- i Cili, me anë të penës ia mësoi,
- ia mësoi njeriut ato që nuk i dinte.
- Por vërtet që njeriu shkel çdo cak,
- kur mendon se është i vetëmjaftueshëm.
- Në të vërtetë, kthimi është te Zoti yt!
(Surja Alak)